Formula 1, pikë për 12 vendet e para

Formula 1 është gati të ndryshojë përsëri. Duke nisur nga viti i ardhshëm 12 veturat e para në finish do të kenë mundësi që të grumbullojnë pikë. Me sistemin aktual marrin pikë dhjetë vendet e para të secilit Çmim të Madh, por në sezonin e ri krerët e Formulës 1 mendojnë që të shpërblejnë më shumë pilotë. Sipas shtypit britanik edhe nëse Komisioni i Formulës 1 do të kalonte këtë ndryshim, për ta zyrtarizuar do të duhej edhe aprovimi i “World Motor Sport Council” pranë FIA-s. Ky ndryshim i vjen në ndihmë skuadrave të vogla, të cilat e kanë të vështirë që të marrin pikë. Një shembull i qartë rreth kësaj situate jep edhe sezoni aktual ku të vetmet skuderi, të cilat kanë grumbulluar pikë janë Red Bull, Ferrari, McLaren, Mercedes dhe Aston Martin. “Edhe pesë skuadrat e fundit të klasifikimit janë pjesë e këtij organizmi, por për ne është e vështirë që të justifikojmë mungesën e pikëve përballë sponsorëve dhe tifozëve tanë”, tha Laurent Mekies, shefi i skuadrës së “Racing Bulls” (ish-AlphaTauri).

sfidanti.al