Rëndësi ka skuadra, pa trajnerët shkojnë e vijnë. Kjo batutë e futbollit u rikujtua ndërsa tek Flamurtari pati një tjetër ndryshim në stol. Marcelo Troisi u vendos të largohej pas humbjes me Dinamon, ndërsa në vend të tij pritet të jetë Diego Longo. Italiani, që drejtoi Kukësin sezonin e kaluar, sipas të gjitha gjasave është përzgjedhur nga presidenti Sinan Idrizi si njeriu më i përshtatshëm të paktën për momentin, pas bisedimeve që u zhvilluan në Vlorë. Zyrtarizimi pritet këtë të mërkurë, ndërsa kandidatë janë edhe Milutinoviç dhe Artim Pollozhani. Troisi u largua pas disfatës në Vlorë ndaj Dinamos në sfidën e Kategorisë së Parë, ndeshje që pati shumë tensione në minutat e fundit pas akordimit të penalltisë për kryeqytetasit.
Tifozët protestuan brenda e jashtë stadiumit, u hodhën edhe shishe në fushë, ndërsa u përplasën Troisi dhe drejtori sportiv i Dinamos, Ermal Barushi. Idrizi pati akuza për arbitrimin. “Këtu është një dualitet mes anës objektive dhe asaj subjektive, – tha ai, – mund të marrësh trajner shumë të mirë, lojtarë shumë të mirë, por dikush ta prish ndeshjen. Dua të përdor shprehjen e Heminguejit se “lulet mund të jenë shumë të bukura, por janë pa aromë”. Këta ia heqin aromën luleve”. Pas 20 javësh, në Kategorinë e Parë kryeson Skënderbeu me 38 pikë, Dinamo e ndjek me 37 dhe Flamurtari është i treti me 35. Dy vendet e para kalojnë direkt në Superligë, ndërsa i treti luan plej of.
Sfidanti.al