Fitorja me Kaljarin është “droga” e Milanit para serisë Lacio-Liverpul-Juve!

Përfundoi 4-1 dhe trajneri Pioli, por edhe tifozët morën disa përgjigje. Ky Milan nuk është skuadra e vitit të kaluar që vuante në “San Siro”, ndërsa rolin e Zllatan Ibrahimoviçit po e luan Olivie Zhiru. Hiq një “plak” e fut një tjetër, por për kuqezinjtë këta janë “në lule të moshës”, përderisa munden të shënojnë e ta çojnë ekipin përpara drejt fitoreve, siç ndodhi ndaj Kaljarit. Sulmuesi francez realizoi 2 gola me numrin 9 në shpinë duke larguar një mallkim. Në moshën 34-vjeçare po tregon se nuk ka qenë kurrë i keq, siç ka ndodhur me Francën, por i duhej një ekip që t’i jepte besim dhe minutazh në fushë. Kënaqësi për golin e Tonalit, i pari i mesfushorit për Milanin, dhe për fitoren 4-1 të arritur që në pjesën e parë. Një “pije energjetike” që duhej për ekipin e trajnerit Stefano Pioli, i cili menjëherë pas ndërprerjes së kampionateve, do të kthehet të jetë përballë Lacios (Seria A), Liverpulit (Champions) dhe Juventusit (Seria A). Për momentin, le të gëzohet me 6 pikët e plota, baraz me më të mirët e kampionatit si Lacio, Interi, Roma e Napoli.

Sfidanti.al