Rezultati ishte i vogël, por triumfi ishte i madh. Nuk është shaka të arrish finalen e Kupës së Anglisë kur përballë ke Mançester Sitin, por Çelsi i Tuhelit ia doli duke treguar se trajneri gjerman po i kthen në të mbarë fatet e skuadrës dhe të klubit. Duke qenë në zonën Champions në Premier Ligë dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Blutë e Londrës iu afruan trofeut të tyre të parë të sezonit. Fitorja 1-0 i dha fund gjithashtu ëndrrës së Sitit për t’u bërë e para skuadër angleze që të fitojë të 4 trofetë e edicionit, pra Premier Ligën, Championsin, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës. Kjo ishte fitorja e parë e Tomas Tuhelit ndaj Pep Guardiolës, dhe mënyra sesi luajti Çelsi ishte një paralajmërim për Realin e Madridit se nuk do ta ketë të lehtë në gjysmëfinale të Championsit edhe pse eleminoi Liverpulin. Hakim Zijeç shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 55-të, por Siti u dëmtua nga fakti se Guardiola bëri 8 zëvendësime në krahasim me ekipin që fitoi 2-1 në Dortmund.
Sfidanti.al