Fitore 3-1 ndaj Kazakistanit, Shqipëria i afrohet kualifikimit me … sulmin!

Në Bjellorusi, në Kazakistan dhe në Lituani kryefjala jonë ishte mbrojtja në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Me dyshen Gjimshiti-Kumbulla, plus të tjerë si Ismajli apo Veseli, pastaj me mesfushorët e fortë Abrashi, Bare, Laçi, herë Gjasula e ndonjë tjetër, kombëtarja shqiptare kishte arritur ta ruante portën të paprekut.

Këtë herë, pikërisht kur na duhej fitorja, në ndihmë na erdhi sulmi. Trajneri Edi Reja i shpëtoi së pari “pensionit të parakohshëm” me suksesin 3-1 ndaj Kazakistanit në “Arenën Air Albania”, ku kuqezinjtë patën kundërshtar jo vetëm ekipin mik, por edhe cilësinë e fushës. Gjithsesi, Sokol Cikalleshi, Ardian Ismajli dhe Rej Manajn, ndërsa Abiken i kazakëve na rikujtoi mrekullinë e Shkëlqim Muçës në derbin e dikurshëm 17 Nëntori (Tirana)-Partizani, me golin nga mesi i fushës. Portieri Etrit Berisha ishte në “gjumë” në ato momente, dhe çmimin “Pushkash” të mbrëmjes e mori pikërisht futbollisti kazak.

Gjithsesi, kombëtarja këtë herë ishte tjetër, sidomos në krahasim me paraqitjen anonime ndaj Lituanisë, kur u mund edhe me gol pasi gaboi vetë rëndshëm, por edhe me lojë, ndërsa këtë herë “injeksioni” ishte bërë në kohën e duhur. Sidoqoftë, jemi në vendin e dytë në grup pas Bjellorusisë që fitoi 2-0 ndaj Lituanisë dhe mban kreun me 10 pikë ndaj 8 të kuqezinjve. Pra, të mërkurën në orën 16:00 në të njëjtën stadium, ekipi ynë përfaqësues do të luajë finalen, ku i duhet vetëm fitorja për të zënë vendin e parë në grup e për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve.

Sfidanti.al