Një skuadër aspak e bukur, por tepër, tepër luftarake. E tillë, Atletiko e Madridit që pati një nga mbrëmjet më të mëdha të historisë së saj, dhe me frymën e vërtetë të Diego Pablo Simeones, u kualifikua brenda në “Anfild”, ndaj Liverpulit, për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Ndeshja ishte një monolog i sulmit anglez dhe mbrojtjes spanjolle, një dominim i vendasve me 71 për qind të topit në zotërim, me 34 gjuajtje drejt portës (ndaj 10 të rivalëve) dhe 11 në kuadrat, me goditje shtylle, e me raste të pastër të humbur nga Firmino, Mane, Robertson e të tjerë, por me rezultatin 2-3. Tradita e vetë Simeones, por edhe e Helenio Herrerës, Xhovani Trapatonit dhe Zhoze Murinjos është gjallë dhe shkëlqyeshëm.
Nuk dihet nëse ishte fati i Atletikos që u ndodh përballë një Liverpuli disi në rënie, të cilit mesa duket i bëri keq pushimi i shkurtit në Angli. Të kuqtë janë eleminuar nga Kupa e Anglisë (më herët edhe nga ajo e Ligës), si dhe kishin humbur ndaj Uatfordit në Premier Ligë e 0-1 në Madrid me Atletikon. Gjithsesi, u duk krejt logjike kur morën epërsinë 2-0 në minutën e 94-ët, pra në nisje të kohës shtesë, pas golave të Vajnaldumit dhe Firminos. Ishte shpërblimi i asaj që bënë, por futbolli luhet aq sa është për t’u luajtur, dhe Liverpuli këtë nuk e bëri. Atletiko gjeti forcën e karakterit, tipike për ekipet e Simeones, për të shënuar dy herë me Jorenten dhe në fund me anë të Alvaro Moratës.
Me gjasë ishte çështje fizike, pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Premier Ligë, që në fund do t’i japë titullin e parë kampion në 30 vjet. Për këtë, ia vlente të sakrifikoje Championsin, ndërsa Atletiko vuri bast për të kundërtën, sakrifikoi La Ligën për Championsin. Për herë të parë që kur ndodhet në “Anfild”, Jurgen Klopi nuk do të jetë në një finale kupe kontinentale, pasi ishte në 2016, 2018 e 2019, ndërsa në 2017 nuk ishte fare i kualifikuar për në Europë.
Sfidanti.al