Filozofia e Ksavit po e çon Barcelonën drejt titullit!

Kjo skuadër ia ka marrë dorën kësaj filozofie. Barcelona e sotme nuk është ajo e futbollit spektakolar të Frenk Rajkardit, Pep Guardiolës apo Luis Enrikes, por gjithsesi është tepër e fortë. Suksesi 4-0 në fushën e Elçes në kampionatin spanjoll ishte shprehja më e qartë e futbollit që praktikon trajneri Ksavi Hernandez, me mjaft qarkullim topi, por me lojë vertikale, jo edhe aq “tiki-taka”, dhe me mbrojtje mjaft të fortë. Barça u duk e pathyeshme, edhe duke mos luajtur shumë mirë, ndërsa është edhe më pranë fitores së titullit kampion, të parit që pas largimit të Lionel Mesit. Robert Levandovski ishte protagonisti kryesor duke shënuar dy gola, ndërsa Ansu Fati po ashtu realizoi, bashkë me sulmuesin tjetër, Ferran Torres.

Ylli polak duket se po e gjen më në fund formën, që e kishte humbur që pas Kupës së Botës. Ksavi ishte me të drejtë mjaft i kënaqur.  “Ishte një paraqitje e plotë nga ana jonë, – tha ai , – Një ndeshje shumë e mirë që nga fillimi deri në fund. Ne kemi një skuadër me lojtarë që ndonjëherë duket sikur nuk shkëlqejnë, por e bëjnë siç duhet punën e tyre. Ata luajnë në nivel të lartë dhe ky është koncepti im për një skuadër. Ne kemi hedhur një tjetër hap drejt titullit. Tani jemi më pranë. Ne jemi shumë të bashkuar”. Barcelona kryeson La Ligën me 71 pikë, ndërsa Reali i Madridit duket se do ta ketë tepër të vështirë që t’i mbërrijë katalanasit.

Sfidanti.al