Euro U21 në Gjeorgji thyen rekordet e spektatorëve

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë. Një Kampionat Europian për moshën deri në 21 vjeç nuk tërheq aq shumë sa një turne i tillë për të rritur, por kjo gjë ka ndryshuar në Gjeorgji. Euro U21 për këtë vit po organizohet pikërisht në vendin në Kaukaze dhe në Rumani, ndërsa në sfidën Gjeorgji-Izrael për çerekfinalet u vendos rekordi i ri për shikuesit në stadium. Plot 44 338 spektatorë ishin në impiantin “Boris Paiçadze” në Tbilisi ishin të pranishëm për të ndjekur sfidën çerekfinale, që në fund u fitua nga izraelitët pas gjuajtjes së penalltive. Kjo është hera e parë që Izraeli arrin në gjysmëfinale të një Europiani U21.

Gjysmëfinalisti tjetër është Spanja që kaloi Zvicrën me rezultatin 2-1. “Furitë e Kuqe” fituan vetëm pas dy kohëve shtesë me gola të shënuar nga Gomez dhe Miranda, ndërsa për zviceranët barazoi Amduni në fund të kohës së rregullt. Për Zvicrën në fushë ishin tre lojtarë me origjinë shqiptare, portieri Saipi si dhe Jashari e Imeri, ndërsa në stol ishte Krasniqi.

Në këtë Europian U21 është thyer edhe rekordi i shikuesve në total të ndeshjeve, edhe pse turneu nuk ka përfunduar ende. Deri tani, në stadiume kanë qenë mbi 250 000 tifozë, duke kaluar nivelin e Europianit të vitit 2017 të mbajtur në Poloni, që u ndoq gjithsej nga rreth 244 000 spektatorë. Po ashtu, Europiani i tanishëm ka tre ndeshjet me shikueshmërinë më të lartë në histori.

Sfidanti.al