Edhe një yll tjetër italian gllabërohet si “klient” nga Mino Rajola

Futbollisti italian, Lorenco Insinje, qershorin e kaluar, u bë “klient” i superagjentit Mino Rajola. Sipas medias, Insinje e pranoi ftesën e Rajolës dhe, kështu, ky agjent, ndër më të njohurit në botë, do të kujdeset për karrierën e futbollistit të mësipërm të Napolit, ndërkohë që më parë ai (Rajola) ka bërë “punë të mëdha” me Pol Pogban, Zllatan Ibrahimoviçin, Mario Balotelin dhe Xhixhi Donarumën.
Rajola e konsideron Insinjen si një potencial të shkëlqyer që të bëjë një “punë të madhe” tjetër. Rajola bën transferime lojtarësh nga klubi në klub dhe kjo është arsyeja që atë nuk e duan as klubet dhe as tifozët, por, sidoqoftë, një gjë është ë sigurt se nga këto transferime përfitojnë shumë “klienti”, vetë Rajola dhe klubi që shet/blen “produktin”.

Tani, Insinje ndodhet në duart e Rajolës dhe ka mundësi që destinacioni i tij i ardhshëm të jetë Mançester Junajtidi ose Juventusi, ndërkohë që Rajola konsideron se këtij futbollisti çmimi mund t’i shkojë deri në 200 milionë euro! Sidoqoftë, Insinje është fëmijë Napoli dhe është e vështirë që atë ta imagjimosh me bluzën e ndonjë klubi tjetër italian, ndërkohë që, deri tani, as ai nuk ka shprehur ndonjë dëshirë që të largohet nga Napoli i tij.
Sfidanti.al