Ka luajtur 17 ndeshje, ka shënuar 13 gola e ka shërbyer 6 asistë. Nuk ka më bukur se kaq për Myrto Uzunin që mbetet heroi i Ferencvaroshit edhe pse skuadra hungareze pësoi humbje në Ligën e Europës, 1-3 në Budapest nga Betisi spanjoll. Sulmuesi i kombëtares shqiptare barazoi përkohësisht rezultatin në fund të pjesës së parë (44’), duke qenë ky goli i tij i parë në Ligën e Europës dhe i pesti në konkurrimet kontinentale, pasi shënoi 4 gola e shërbeu 4 asistë në raundet eleminatore të Championsit. Në fundjavën që kaloi, beratasi 26-vjeçar shënoi golin e dytë në Superligën e Hungarisë ku Ferencvaroshi është kampion në fuqi, ndërsa 6 gola i ka shënuar në një ndeshje në Kupë, duke barazuar një rekord mbi 50-vjeçar. Sulmuesi shqiptar ka luajtur gati 1300 minuta deri tani këtë sezon, dhe këto janë shifra të shkëlqyera ndërsa nuk ka hyrë ende tetori.
Sfidanti.al