Albert Ajnshtajnit i morën trurin pas vdekjes për të kuptuar sesi mund të ishte mendja e shkencëtarit më të madh të të gjitha kohëve. Zllatan Ibrahimoviçit i është bërë një kërkesë që mund të realizohet në gjallje të tij. Doktori i famshëm, Fredi Fu, deklaroi se do të donte të studionte ligamentet e sulmuesit suedez pasi ai të mbyllte karrierën. Fu e operoi Ibrën në Qendrën Mjekësore të Pitsburgut në SHBA dhe mbeti i habitur me atë që pa.
“Mund t’iu them se gjithçka në trupin e Ibrës ishte në formën më perfekte të mundshme, – tha specialisti i famshëm në të gjithë botën, – Morfologjia e shëndetshme, cilësia e kockës dhe e muskulit, gjithçka është në standardin më të lartë që mund të jetë. Nuk dua të jap shumë hollësi, sepse nuk dua të kem telashe me Mançester Junajtidin, por ai është një nga sportistët më elitarë me të cilët kam punuar”.
Ibrahimoviç është 35 vjeç dhe dëmtimi ishte i rëndë, ai mund të kthehet të luajë vetëm në fillim të vitit 2018, por Doktor Fuja thotë se “ai mund të luajë për shumë vjet”, ndërsa “kur të përfundojë karrierën, do të doja t’ia shikoja ligamentet e gjurit”. Fu ka bërë 20 000 operacione të gjurit në karrierë, ndaj edhe pritet që Ibra të kthehet po aq i fortë sa më përpara.
Sfidanti.al