Gara e parë, triumfi i parë. Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Lojrat Olimpike “Tokio 2020” duke realizuar një sukses të madh për Kosovën. Xhudistja e shquar u shpall kampione olimpike pasi triumfoi në finale ndaj japonezes Tonaki, në peshën deri 48 kg. Krasniqi fiton një tjetër të artë, më të rëndësishmen në karrierë pas atyre të mëparshme në Europian dhe në Çmimin e Madh. Ky është titulli i dytë olimpik për Kosovën pas atij që fitoi Majlinda Kelmendi në Rio de Zhaneiro në 2016. Menjëherë pas garës, ajo bëri një dedikim për Radio Televizionin e Kosovës.
“Ja dedikoj këtë medalje popullit të Kosovës, trajnerit tim, shokëve të ekipit dhe familjes sime, – tha ajo, – besoj se në të ardhmen do të mundem ta mbroj titullin, por edhe nëse nuk do ta mbroj, do të jem e plotësuar. Mundet edhe që të ndryshoj kategorinë e peshës”. Komiteti Olimpik i Kosovës e përcolli në kohë të rrufeshme garimin e Distrisë, duke botuar fotot e kampiones dhe fjalët: Shumë krenarë, faleminderit që ju kemi! Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar drejtpërdrejt xhudisten sepse ndodhet për vizitë në Japoni, dhe e ka ndjekur nga afër ekipin olimpik kosovar. Nga Prishtina, uron edhe kryeministri Albin Kurti, i cili pasi thekson se Kosova e fitoi të arrën në garën e parë të saj, e falenderon Krasniqin që po e bën Kosovën krenare.
Një urim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk dihet nëse do të ketë rast për të uruar sportistët kuqezinj. Deri më sot, Shqipëria nuk ka marrë dot asnjë medalje olimpike, së pari për faj të ligjeve që nuk ia japin këtë mundësi sportit, ndërsa personalitetet si Calja, Qerimaj, Gega apo Smajlaj gjithçka e arrijnë falë sakrificës së tyre, në kushte shumë më të vështira sesa të tjerët. Sa për Kosovën, ekipi olimpik i saj synon edhe medalje të tjera ndërsa përfaqësohet në Tokio 2020 me 11 sportistë, mes të cilëve Majlinda Kelmendin.
Sfidanti.al