Dhuna e Superligës, na rrofshin kamerat në stadiume, se kërcënimet bëhen nëpër … zyra!

Ka nga ata klube të kampionatit shqiptar që nuk e kanë problem të mbajnë peng lojtarët sikur të ishin skllevër (aspak) modernë. Trajnerë të njohur dhe njerëz që janë të lidhur gjithë jetën dhe çdo ditë me futbollin tonë, tregojnë për skena të tmerrshme, të cilat nuk mund të kapen nga kamerat sepse nuk ndodhin në stadium “ditën për diell”, por diku tek zyrat e klubit, pranë shtëpisë së ndonjë “rebeli” apo në ndonjë kafe a rrugicë. Natyrisht, nuk flasim për klube si Vllaznia, Tirana apo Partizani, pasi tek ata nuk ndodh, as tek Dinamo e Skënderbeu që këtë sezon na thanë “mirupafshim në Kategorinë e Parë”.

Janë të tjerë, “trimat” pavarësisht nëse skuadrat mund t’i kenë në kupat e Europës apo në vallen për mbijetesë. Ka lojtarë që kanë përfunduar kontratë dhe kërcënohen që të mos largohen sepse “e dini vetë se çfarë ju gjen”, ka nga ata që mbahen me vite me “palo kontrata”, ndërsa nuk kanë marrë në 4 vjet as 10 000 lekë të reja. Të gjitha këto, ndërsa ne kemi Dhomë të (Mos) Zgjidhjes së Konflikteve në Federatën Shqiptare të Futbollit, kemi komisione dhe departamente që kujdesen për aspektin sportiv, ligjor dhe financiar të futbollistëve, të cilëve u thonë “jeni ju, pa jemi ne”. Pas më shumë se 30 viteve nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe në krahasim me sistemin e kaluar, kur të dërgonin ushtar nëse nuk pranoje ndonjë klub të ministrive. Sot, për më keq, nuk të dërgojnë ushtar, por të dërgojnë “në djall”.

Sfidanti.al