Dhimbje dhe lot në ndeshjen e parë të Çapekoenses!

Një atmosferë krejt e rrallë ishte në stadiumin e Çapekoenses për ndeshjen e parë që pas tragjedisë që goditi skuadrën. Formacioni brazilian doli në stadiumin “Arena Konda” të Çapekos për të luajtur miqësoren ndaj Palmeirasit, kampiones së Brazilit, dhe kundërshtarit të fundit përpara se të ndodhte aksidenti ajror. Miqësorja ishte një përkujtim për 19 lojtarët dhe 24 pjesëtarët e tjerë të klubit që humbën jetën kur avioni u rrëzua pranë Medelinit të Kolumbisë, ndërsa shkohej për të luajtur finalen e Kupës Jugamerikane (Sudamericana).

Në stadium ishin edhe portieri i Çapekoenses, Xhekson Folman (në foto), ndërsa mbante në dorë Kupën Jugamerikane që iu dha pikërisht skuadrës së tij. Folman nuk do të luajë më futboll pasi iu pre një këmbë për t’i shpëtuar jetën pas aksidentit, ndërsa duhet të bëjë edhe një operacion tjetër (të lehtë).

Po ashtu, ishte edhe mbrojtësi Alan Rushel, që gjithashtu mbijetoi, dhe që është në gjendje për të luajtur. Së fundi, mbrojtësi tjetër Neto, një nga lojtarët më të mirë të Çapekoenses, pritet të luajë përsëri, ndonëse ende nuk e ka marrë veten nga përplasja. Nuk munguan familjarët e viktimave që nuk i mbajtën dot lotët.capekoense kupa1capekoense kupa2