Populli thotë se “janë lëshuar nga zinxhirët” për ata që kalojnë në veprime të çoroditura. Të tillë ishin edhe një pjesë e tifozëve të Argjentinës në paradën triumfale të fitores së Kupës së Botës në Buenos Aires. Plot 4 milionë qytetarë kishin dalë në rrugë e sheshe duke rrethuar me dashuri, por edhe me një ç’ekuilibrim të rrezikshëm mendor dhe emocional autobusin e hapur ku ishin ngjitur kampionët e rinj të rruzullit, me mjetin që u duk si një varkë e vogël në një det tmerrësisht të trazuar njerëzor.
Frika nuk ishte pa bazë dhe ja ku ultrasit, njerëzit e indoktrituar të futbollit mësynë autobusin sepse donin të ishin patjetër aty, në ditën kur ata do të hynin në histori. Siç pritej, gjithçka e kaloi masën me njerëzit që hidheshin nga mbikalimi drejt e në autobusin e hapur, por disa duke u rrëzuar përtokë. Plot 31 u plagosën dhe jetë u rrezikuan, ndërsa autoritetet vendosën të largonin lojtarët nga autobusi me helikopter dhe po me helikopter të vazhdonin paradën mbi Buenos Aires. Dështimi i paradës madhështore, diçka që pritet në vende me skajshmëri pasurore dhe shoqërore, ishte hakmarrja e vërtetë e çmendurisë së krijuar me qëllim, nga bizneset që fitojnë pa fund nga futbolli, duke shitur gjithçka që mund të shitet, duke krijuar idhull gjithnjë e më të fuqishëm, por edhe më të paarritshëm, dhe kjo çmenduri ndodhi që i ra në kokë vetë futbollit.
Sfidanti.al