Cili është lajmi i rikthimit, kualifikimi i Juves apo kriza e CR7-ës?!

Milani nuk e realizoi dot mrekullinë, dhe Italia përjetoi vetëm një të tillë, rikthimin e futbollit pas më shumë se 3 muajve ndërprerje. “Rrethimi” i koronavirusit u ça, veçse gjysmëfinalja e Kupës në stadiumin “Alianc” të Torinos nuk ishte një spektakël i denjë për një rast të tillë. Barazim 0-0, lojë më së shumti e zbehtë, me Ronaldon që humbi penallti, dhe me Milanin që luajti me 10 lojtarë pjesën më të madhe të kohës.

Çfarë duhet t’i tërheqë më shumë vëmendjen tifozëve italianë, kualifikimi i Juventusit për në finale, qendresa e Milanit edhe pse pa Ibrën, apo kriza e CR7-ës? “Ronaldo ishte hija e vetvetes, – titulloi “La Gazeta delo Sport”, – futbolli nisi pa gol, por nuk pati mrekulli për Milanin me 10 vetë. Juve në finale”. Tashmë, kampionët presin të njohin kundërshtarin, që do të dalë nga gjysmëfinalja e kësaj së shtune, Napoli-Inter, me skuadrën vendase të trajnerit Gatuzo, që ka fituar 1-0 në “San Siro”.

Milani u dënua nga ndërhyrja e rëndë e sulmuesit kroat, Ante Rebiç, që u përjashtua me të drejtë në minutën e 17-të, pak sekonda pasi Ronaldo humbi penalltinë, duke goditur shtyllën. Kuqezinjtë u udhëhoqën nga kapiteni Romanjoli, që u tregua me zemër të madhe. Tek Juvja, përveç Kristianos, dobët ishte edhe Pjaniç, ndërsa Betankur mori notë të mirë.

Sfidanti.al