Fillimi i ‘Giro d’Italia 2025’ është shënuar nga një ngjarje dramatike që ka tronditur botën e çiklizmit: Mikel Landa, një nga pretendentët kryesorë për fanellën rozë, është detyruar të braktisë garën pas një aksidenti të rëndë në fazën hapëse. Çiklisti spanjoll u rrëzua vetëm 5 kilometra larg përfundimit të etapës së parë dhe u dërgua menjëherë me ambulancë në spital. Skanimet mjekësore konfirmuan frakturë në një prej vertebrave, një dëmtim që jo vetëm e përjashton nga ‘Giro’, por ka gjasa ta mbajë larg garave për pjesën e mbetur të vitit. Kjo është një goditje e rëndë jo vetëm për Landa-n personalisht, por edhe për skuadrën e tij Soudal Quick-Step, që e kishte projektuar si mbështetës kyç për liderin Remco Evenepoel në ‘Tour de France’. Pa praninë e spanjollit, ambiciet e belgut për të sfiduar Tadej Pogačar dhe Jonas Vingegaard në garën më të madhe të vitit bëhen edhe më sfiduese. Një ekspert traumatologjie, i intervistuar nga Eurosport, tha se rikuperimi do të kërkojë “të paktën tre muaj”, përfshirë imobilizimin e plotë dhe më pas terapi intensive për të rindërtuar forcën e muskujve të shpinës dhe pjesës së poshtme të trupit. “Në këtë moment, sezoni 2025 për të është praktikisht i mbyllur,” tha ai, duke shtuar se edhe pas rikuperimit, pozicioni i ulur mbi biçikletë do të shkaktojë dhimbje të vazhdueshme derisa të ndodhë shërimi i plotë. Landa tani është i përjashtuar nga Tour de France dhe me shumë gjasë do të humbasë edhe Vuelta a España si dhe Kampionatin Botëror në Ruandë. Shpresat e Spanjës për të pasur një lider të fortë nën drejtimin e ri të Alejandro Valverdes kanë marrë një goditje të rëndë. E vetmja dritë në këtë situatë të zymtë është fakti se Landa kishte siguruar një zgjatje kontrate me Soudal Quick-Step pak përpara nisjes së ‘Giro’-s, gjë që i garanton një rikthim të mundshëm në vitin 2026. Deri atëherë, tifozët do të duhet të presin me durim për të parë përsëri në pistë një nga çiklistët më të dashur dhe luftarakë të brezit të tij.
sfidanti.al