Përdorimi i makinës nuk i ka sjellë fat kamerunasit André Onana, por këtë herë jo në portën e Manchester United. Portieri është detyruar të heqë dorë nga një prej “bishave” të tij, një Lamborghini Urus, pasi policia ia ka sekuestruar mjetin me vlerë prej 350 mijë paundësh (afro 415 mijë euro). Arsyeja lidhet me mungesën e sigurimit të mjetit, dhe tani Onana duhet të veprojë shpejt nëse nuk do të përballet me pasoja të rënda. Onana, sekuestrohet makina e rrezikon ta shkatërrojnë
Gjithçka ka nisur kur automjeti ndodhej në përdorim nga një mik i kamerunasit Onana. Sipas mediave britanike, i riu ndodhej në timonin e Lamborghini Urus në zonën Hale Barns të Mançesterit. Gjatë një kontrolli rutinë nga policia, njëra prej kamerave të sigurisë në zonë konstatoi mungesën e certifikatës së sigurimit. Menjëherë nisi procedura ligjore dhe mjeti u sekuestrua nga autoritetet. Makina ndodhet aktualisht në një depo policore, dhe portieri është njoftuar për situatën. Sipas rregullores, ai ka 14 ditë kohë për të provuar se është pronari i ligjshëm i mjetit. Në të kundërt, Lamborghini mund të shitet në ankand ose, në rastin më të keq, të asgjësohet. Një burim pranë Onanës i tha “The Sun”: “Onana ka bërë disa gabime këtë sezon dhe dështimi për të siguruar makinën siç duhet duket se është i fundit ndër to.”
sfidanti.al