Çfarë janë ultrasit e futbollit, Uli Hënes, që ti del kundër tyre?!

Nuk na pëlqejnë kur nuk respektojnë asnjë nga ato rregulla që janë aq të shtrenjta për ne, “të shtresës së mesme”. Kemi të bëjmë me ultras të futbollit, nga ata që shajnë e s’lënë gur mbi gur në stadium e jashtë tij, që bëjnë ferr jetën e qytetarëve në autobus, që mund të djegin makina e të shkatërrojnë pronën private të tjetrit, si dyqane e magazina. E kuptojmë shumë mirë Uli Hënesin, kur ish-presidenti i Bajernit, kujton këto “bëma” dhe revoltohet.

“Futbolli mund të ekzistojë edhe pa ultras, – shprehet legjenda bavareze, – futbolli i takon të gjithëve, dhe është e rëndësishme të kuptojmë se edhe ultrasit janë element i rëndësishëm, por ata nuk mund të lejohen të vendosin që gjithçka të shkojë siç dëshirojnë ata. Jam gjithnjë për bashkëpunimin, por ultrasit duhet ta kuptojnë se futbolli mund të ekzistojë edhe pa ultrasit”. Hënesi, me gjasë është i mërzitur me qendrimin e ultrasve për mënyrën sesi rifilloi futbolli, dhe sesi ata sulmuan pronarin e Hofenhajmit, Ditmar Hop.

Gjithsesi, Hënesit mund t’i bëhet një pyetje e vogël: Nëse kemi një shoqëri me ultras, si mund të kemi një futboll pa ata? A e di zoti Hënes, që i ka dhënë “fukarallëkut” “aufviderzehen” që në moshën pak mbi adoleshente, se ka njerëz që mbeten të varfër apo të margjinalizuar deri sa vjen puna tek arkivoli? Kur shoqëria njerëzore të zgjidhë këtë “ekuacion”, padyshim që do të ketë edhe një futboll pa ultras.

Sfidanti.al