Çfarë Dortmundi fiton në Këln, Bajern je i paralamëruar!

Trajneri Lysien Favre nuk ka më frikë të kthejë sytë nga stoli. Strategu i Dortmundit duket se e ka plotësuar “mozaikun” e tij, me një potencial të aftë për të fituar Bundesligën, diçka që më shumë se rezultati 3-1, e tregon loja e zhvilluar në stadiumin e Këlnit. Përballë “dhive” vendase, të përkrahura nga dhjetëra mijë tifozë, Borusia u paraqit me autoritetin e një skuadre të madhe, duke mbajtur topin në zotërim 74 për qind (!!!), duke vrapuar thuajse njësoj si Këlni, dhe duke qarkulluar topin me sasi, saktësi e shpejtësi marramendëse, plot 677 pasime ndaj 230 të kundërshtarit, me saktësi 87 për qind, ndaj vetëm 65 përqind të vendasve.

Jo vetëm kaq, por Dortmundi ishte luftarak duke fituar më shumë duele se rivalët (53 për qind). Favre luajti me një formacion ku kombinohej përvoja me rininë e klasin: Byrki, Shulc (Hakimi), Humels, Akanji, Pishçek, Vicel, Vajgl (Brant), Hazar (Larsen), Rojs, Sanço, Alkaser. Në stol ishin edhe të tillë si Shmelcer, Zagadu, Dahud, Delanei e Gëce!

Këlni kaloi në epërsi në pjesën e parë, në 29’ me anë të Dominik Drekslerit, dhe u mbajt fort në mbrojtje deri 20 minuta nga fundi. Në 70’, barazoi talenti anglez Sanço, pastaj në 86’ realizoi Hakimi dhe në sekondat e fundit, Pako Alkaser. Dortmundi ka 6 pikë në dy ndeshje (golat 8-2), ndërsa Bajerni ka vetëm 1 në një sfidë. Bavarezët luajnë në orën 18:30 në fushën e Shalkes.

Sfidanti.al