Broja ia dedikon golin babait në ditëlindje, por jo ditëlindjes së trajnerit Reja!

Pas shkëlqimit vijnë lavdërimet, dhe jehona. Kështu edhe pasi Armando Broja shënoi golin e parë personal për Çelsin në Premier Ligën angleze. Sulmuesi kuqezi u vlerësua lart nga mediat britanike, dhe tabloidi “Deili Meil” shkruajti se goli i tij ishte qershia mbi tortë në një paraqitje të shkëlqyer të Bluve të Londrës ndaj Uolvesit, që përfundoi 3-0. Broja hyri si zëvendësues dhe për pak minuta ia doli.

“Po, ishte mahnitëse, – tha shqiptari, –  që kur e mora topin e dija se kisha një mundësi. Ishte një pasim i shkëlqyer nga shoku i ekipit. Si sulmues gjërat janë instinktive, dhe unë veprova në atë mënyrë. Për fat, topi përfundoi në rrjetë. U desh të pritej për vendimin e VAR-it, por përfundimisht u quajt i rregullt dhe unë jam shumë i lumtur. Ky gol është për familjen time, babai im ka ditëlindjen sot, dhe ky gol është për të. Djemtë bënë një paraqitje të shkëlqyer, pra ishte një ditë e madhe”. Broja, kështu ia dedikoi golin ditëlindjes së të jatit që ishte në 8 tetor, dhe jo ditëlindjes së trajnerit të kombëtares Edi Reja, që është nesër (10).

Gazetari i klubit i kujtoi Brojës se historia e tij tek Çelsi është mjaft emocionuese. “Është e mrekullueshme, – ishte përgjigja, – ky është ekipi im, klubi im. Kam qenë tifoz i Çelsit që fëmijë, dhe jam shumë i lumtur që luaj në “Stemford Brixh” përpara tifozëve tanë. i falenderoj shumë për mbështetjen. Falenderoj shokët e skuadrës dhe stafin teknik dhe shpresoj që ky gol të jetë i pari në një seri sa më të gjatë”.

Trajneri Graham Poter nuk i kurseu lavdërimet. “Mesa di unë, ky ishte goli i tij i parë për ne, – tha tekniku, – ai po jep një kontribut të madh nga stoli. Ai i jep shumë ekipit, ndonëse duhet të jetë i durueshëm. Armando po punon shumë në stërvitje. Mendoj se ky ishte një gol i madh për të”. Sezoni është shumë i ngarkuar dhe Broja pritet të ketë raste përtë luajtur më shumë. Ndoshta që nga ndeshja e mesjavës në Champions ndaj Milanit në “San Siro”.

Sfidanti.al