Është piemontez dhe në vendin e tij e thërrasin me përkëdheli Pipo, siç ndodh gjithmonë atje. Filipo Gana realizoi një mrekulli mbrëmjen e djeshme në pistën e Grenhenit (Grenchen) duke vendosur një rekord historik të orës në çiklizëm. Italiani 26-vjeçar arriti 56.792 km pas 60 minutave pedalim, duke rikthyer kujtimet e kohëve të arta të viteve 80-të kur një tjetër italian i famshëm, Françesko Mozer, vendoste rekordin e orës. Rekordi i mëparshëm mbahej nga britaniku Dan Bingham, që është gjithashtu në ekipin e Ganës, Ineos, dhe që ishte 55.548 km. Rekordi i italianit vlen edhe më shumë sepse ka kaluar edhe rezultatin më të mirë njerëzor të orës, vendosur nga britaniku tjetër, Kris Bordman (Boardman) në 1996, me 56.375, veçse me një biçikletë të veçantë që nuk njihet nga Federata Botërore e këtij sporti.
Sfidanti.al