Brazil, Gustavo zbulon sëmundjen e rëndë

Situatë alaramante për mesfushori brazilian, Luiz Gustavo, i cili është shtruar në spital për shkak të mpiksjes së gjakut në mushkëri, ka njoftuar klubi i tij Sao Paulo. 37-vjeçari është shtruar në spitalin ‘Albert Einstein’ në Sao Paulo pasi kishte përjetuar dhimbje të forta në gjoks gjatë seancës stërvitore të shtunën. Lajmin për sëmundjen e Gustavos e bëri të ditur klubi përmes një komunikate në rrjetet sociale. “Lojtari është shtruar në spital për përcjellje dhe trajtim. Ai do të mbetet në spital për ditët në vazhdim, në pritje të testeve të tjera”.  “Ne urojmë rikuperim sa më të shpejtë për numrin 16”, thuhej në njoftimin e Sao Paulos.  Gustavo iu bashkua klubit brazilian vitin e kaluar, duke u rikthyer në Brazil pasi kaloi 17 vite duke luajtur në Evropë dhe Azi. Me 41 paraqitje për kombëtaren e Brazilit, karriera e tij e pasur përfshin aventura në klube si Bajern Mynih, Volfsburg, Marsejë dhe Fenerbahce mes të tjerash. 

sfidanti.al