Pas 17 shkurtit 2008, sot në 31 mars 2026 Kosova do të përjetojë një nga ditët më të rëndësishme të historisë së saj. Dy data të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën jo sepse “Dardanët” kanë mundësinë reale për të rrëzuar një mur sportiv por sepse në këmbët e zemrat e tyre kanë mundësinë e artë për t’i vërtetuar botës që ata ekzistojnë, jetojnë e madje të lirë, pavarësisht politikës dhe urrejtjes së fqinjvëve veriorë.
Djemtë krenarë e vendosën ambasadën në Bratisllavë me “dhunën” e lojës por ndeshja sonte ka një peshë shumë herë më të rëndë. E gjithë bota do të peshojë mbi supet e të besuarve të një populli që kurrë nuk ka rreshtur së ëndërruari lirinë.
Talentet e Fodës leksionin e tyre e kanë dhënë sepse sot emri Kosovë është lakuar që nga Zelanda e largët e deri në Alaskën e akullt dhe emri i vendit të çliruar nga dhuna e egër nuk mund të fshihet më kurrë as nga tryezat e drunjta të politikës.
Sot djemtë Dardanë i kanë fshirë kufijtë e pabesisë, përçmimit, zemërimit, frikës dhe terrorit ashtu siç dinë të bëjnë, duke fluturuar me topin si një ekip fëmijësh plot pasion dhe dashuri për lojën e familjen e tyre të madhe, Kosovën, Shqipërinë.
Ata mund të realizojnë jo thjesht një ëndërr sportive mbarëshqiptare sepse kufijtë kuqezi i kanë kaluar…sot ata duhet të ulin Kosovën e tyre në tryezën e rëndësishme të një bote plot konflikte por që asnjëherë nuk arriti ta fshinte nga harta. Heronjtë e heshtur të rezistencës sot shikojnë nga qielli me dashuri, sepse ata detyrën e tyre e kanë bërë me nder, tani janë heronjtë e lojës që duhet të stampojnë në mendjet më të mbrapshta të globit se KOSOVA EKZISTON…KRENARE!
Beso Kosovë! Sonte qaj me lotët e gëzimit që djemtë e tu krenarë do të luftojnë për të të dhuruar!
Pirro Bardhyli

