Mesfushori i Realit të Madridit, Jude Bellingham, ka rrëfyer në detaje periudhën e vështirë me dëmtimin e shpatullës, duke pranuar se gaboi që vazhdoi të luante me dhimbje. Në një video në kanalin e tij në YouTube, anglezi tregoi se problemi filloi që te Borusia e Dortmundit, ku mjekët i rekomanduan operacion: “Në sezonin tim të fundit në Dortmund më thanë se duhej të operohesha pas një rënieje të keqe. E dija që diçka nuk ishte në rregull, por ishte periudhë Botërori dhe vendosa të mos e bëja”. Pas transferimit te Reali, fillimisht nuk kishte dhimbje, por gjithçka ndryshoi në ndeshjen ndaj Rajo Vajekanos: “Ishte ndjesia më e dhimbshme që kam përjetuar ndonjëherë. Dukej sikur zgjati përgjithmonë derisa ma vendosën shpatullën në vend”.
Pavarësisht këshillave të mjekëve, ai vendosi të vazhdonte sezonin: “Të gjithë më thanë të bëja operacion, por ishte viti im i parë në Madrid dhe nuk doja të zhgënjeja ekipin”. Bellingham pranoi se dëmtimi ndikoi në lojën e tij: “Nuk mund të performoja në maksimum, sepse gjithmonë kisha frikë se mos e dëmtoja sërish”.
sfidanti.al

