Besëlidhja rikonfirmohet kampione e Shqipërisë në Basketboll

Besëlidhja është shpallur kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për sezonin sportiv 2024-2025. Ky është titulli i dytë radhazi për skuadrën lezhjane, që konfirmohet skuadra më e mirë e Superligës Shqiptare, ku dominoi nga java e parë deri tek e fundit. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, Besëlidhja fitoi thellë 134-64 ndaj Teutës në finalen e tretë play off, duke fituar 3-0 serinë e ndeshjeve. Finale që nuk patën në asnjë moment rivalitet, pasi lezhjanët i fituan mjaft thellë të tria ndeshjet.

Një titull më se i merituar për Besëlidhjen e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali, në një sezon thuajse perfekt, ku dominoi në çdo drejtim ndaj rivalëve. Vetëm një humbje aksidentale në kampionat dhe më pas vetëm fitore, në një sezon ku nuk pati konkurrues të denjë. Ndeshja e luajtur sot konfirmoi edhe një herë këtë gjë, një fitore pa shumë mund ndaj një rivali që thuajse ishte inekzistent në fushë. Diferenca prej 70 pikësh flet qartë për atë që ndodhi në parket, me 12 basketbollistë të Besëlidhjes që shënuan në koshin durrsak. Në fund, festa e merituar e skuadrës dhe tifozëve të shumtë në pallatin e sportit, që me meritë kanë për çfarë të krenohen. Një punë e jashtëzakonshme e kurorëzuar me të gjitha trofetë kombëtarë.

Finale-Play off, Meshkuj

Nd.1, Besëlidhja – Teuta, 132-68

Nd.2, Teuta – Besëlidhja, 71-123

Nd.3, Besëlidhja – Teuta, 134-64 (3-0)

 

sfidanti.al