Tani është zyrtare. Ilkai Gyndogan është prezantuar si futbollist i Barcelonës. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, kampionët spanjollë i kanë uruar mirëseardhjem mesfushorit gjerman, që u lirua nga kontrata me Mancester Sitin. Futbollisti 32-vjeçar u transferua te Barcelona me parametra zero. Me klubin “blaugrana” ai firmosi një kontratë që do ta mbajë lidhur me fituesit e La Liga deri në qershor 2025, me opsion për rinovimin edhe për një vit tjetër. Po ashtu, palët kanë vendosur edhe një klauzolë 400 milion euro për prishje të njëanshme të kontratës.
Gyndogan kërkohej me ngulm nga Ksavi, ndërsa edhe vetë dëshira e tij ishte për të ndryshuar ambjent, pas një sezoni fantastik me Mançester Sitin, në të cilin bëri 51 paraqitje me 11 gola dhe 7 asistime, ndërsa festoi edhe tripletën historike me trofetë e Premier Ligës, Champions Ligës dhe Kupës së Federatës në Angli. Ndërkohë Mançester Siti ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e Gyndogan në mesin e fushës. Mediat angleze e bëjnë të kryer marrëveshjen me Çelsin për transferimin e lojtarit kroat, Mateo Kovaçic.
Sfidanti.al