Këtë “titull fisnikërie” e meriton në “klubin” e ligave më të mëdha të kontinentit. Barcelona, me 30 trofetë e Kupës së Mbretit, është e paarritshme kur bëhet krahasimi me Spanjën, Anglinë, Gjermaninë, Italinë apo Francën. Nga të gjithë rivalët, më konkurruesi mbetet Atletik i Bilbaos me 24 kupa, pra brenda futbollit spanjoll.
Në Gjermani, Bajerni ka 18 kupa (synon të 19-ën), në Angli rekordin e mban Arsenali me 13 (mund ta arrijë Junajtidi këtë vit), në Itali në vend të parë është Juventusi me 12, ndërsa në Francë komandon Paris SG me 11 tituj.
As edhe klube që kanë dominuar liga më të vogla, si Steaua e Bukureshtit apo CSKA e Sofies, nuk kanë arritur deri këtu, pasi rumunët janë në 22 trofe dhe bullgarët në 20. Po kështu, Gallatasaraji ka fituar 17 kupa të Turqisë. E vetmja skuadër që i qendron më pranë katalanasve është Benfika, që ka triumfuar 26 herë në Kupën e Portugalisë.
Gjithsesi, kemi harruar një legjendë të vjetër, edhe pse të zbehur së fundmi. Në Skoci, është Gllazgou Rejnxhërsi që ka triumfuar 33 herë në Kupën vendase (plus 27 në Kupën e Ligës, e 54 tituj kampion).
Sfidanti.al