Bajerni është i bindur se do ta përmbysë Vijarrealin në Mynih

Trajneri Nagelsman dhe “centurionët” e tij u kthyen me kokën ulur në Gjermani, e tillë ishte disfata e tyre në Spanjë në ndeshjen e Championsit. Vijarreali fitoi 1-0 dhe u duk tepër i fortë për një Bajern “të fjetur”, edhe pse protagonistët mbeten me besim. Tomas Myler dhe Xhoshua Kimih u dukën më optimistë sesa trajneri i tyre. “Kemi një ndeshje në shtëpi javën që vjen dhe jemi në 0-1, – tha Myleri, – ka kaluar deri tani gjysma e sfidës. Duhet të jemi të bashkuar, të ngrihemi në këmbë, të fitojmë më parë ndeshjen në Bundesligë, e pastaj të përpiqemi të martën. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë”. Kimih shtoi se “nuk mendoj se patëm përballë ndonjë kundërshtarë të jashtëzakonshëm, por e bëmë ne që të dukej shumë i fortë”. “Vijarreali i tregoi cilësitë e tij, ndërsa ne jo, – vazhdoi ai, – gjëja e vetme e mirë është që kemi ndeshjen e dytë në Mynih dhe jam i bindur se do të paraqitemi ndryshe”. Trajneri Julian Nagelsman u mjaftua të thoshte se “merituam të humbisnim, madje ishim me fat që pësuam vetëm një gol”.

Sfidanti.al