Mund të thoshim edhe Benfika, veçse goli i dytë shënuar nga Frankfurti në Lisbonë sikur e hapi luftën për kualifikim me rezultatin 4-2. Të paktën 3 nga 4 çiftet çerekfinalë të Ligës së Europës thuajse larguan çdo enigmë lidhur me kualifikimin, me Arsenalin, Valencian dhe Çelsin si fitues.
Në Londër, “topçinjtë” shënuan dy gola shumë shpejt ndaj Napolit, dhe më pas administruan ndeshjen. Aron Ramsej në 15’ dhe autogoli i Kulibalit në 25’ vendosën rezultatin, edhe pse italianët do të bëjnë çmos në ndeshjen e kthimit.
Skuadra tjetër angleze, Çelsi, e la për në fund goditjen, duke realizuar vetëm në minutën e 86-të me anë të Markos Alonsos. Slavia e Pragës, skuadra më e mirë e kampionatit çek, rezistoi fort dhe thuajse e mbylli ndeshjen në barazim pa gola, por nuk shmangu dot gjuajtjen me kokë të spanjollit.
Valencia shënoi edhe më vonë për fitoren 3-1 në fushën e Vijarrealit. Derbi i Spanjës u vendos në sekondat e fundit, me golat e shënuar nga Daniel Vas dhe Gonsalo Gedes. Në minutën e 6-të, Gedes kaloi në epërsi Valencian në stadiumin e Vijarrealit me penallti, por vendasit barazuan në 36’.
Ndeshja me më shumë gola ishte në “Estadio Da Luz” të Lisbonës, ku Benfika mundi 4-2 Ajntrahtin e Frankfurtit. Kryesueja e kampionatit portugez u ndihmua nga kartoni i kuq i gjermanëve që në 20’, kur Ndika u përjashtua nga loja. Zhoao Feliks shënoi nga penalltia në 21’, por Luka Joviç, sulmuesi serb i huazuar pikërisht nga Benfika, barazoi për Frankfurtin. Feliks në 43’, Dias në 50’ dhe sërish Feliks në 54’ thelluan epërsinë vendase, por Gonsalo Pasiensa i dha shpresë gjermanëve me golin e minutës 72’.
Sfidanti.al