Arsenali ka siguruar afrimin e parë për sezonin e ardhshëm, duke arritur marrëveshje të plotë me Real Sociedad për transferimin e mesfushorit spanjoll Martín Zubimendi. Lëvizja përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës për sezonin 2025–2026 dhe shënon gjithashtu veprimin e parë në treg të klubit londinez nën drejtimin e Andrea Berta-s si drejtor i ri sportiv. Mesfushori 26-vjeçar ka dhënë miratimin për kontratën afatgjatë që i është ofruar nga klubi anglez dhe tashmë priten vetëm hapat formalë për të finalizuar transferimin, përfshirë aktivizimin e klauzolës së lirimit, e cila kap vlerën e 60 milionë eurove. Zubimendi është një produkt i akademisë së Real Sociedad, klub ku ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit si futbollist. Ai është aktivizuar në 232 ndeshje me skuadrën e parë të baskëve, duke kontribuar me 10 gola dhe 9 asistime në të gjitha kompeticionet. Gjatë qëndrimit te Sociedad, ai ka fituar një herë Kupën e Mbretit në sezonin 2019/2020 dhe është konsideruar një nga lojtarët më të qëndrueshëm në La Liga në rolin e mesfushorit shkatërrues. Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka qenë prej kohësh një admirues i Zubimendi-t, duke ndjekur nga afër paraqitjet e tij në kampionatin spanjoll.
sfidanti.al