E ardhmja e Kevin De Bruyne mund të jetë në Serinë A, te Napoli. Sipas burimeve të ndryshme pranë klubit italian, hipoteza e transferimit të lojtarit të Manchester City-t nuk është më vetëm një spekulim mediatik, por një mundësi konkrete që po shqyrtohet seriozisht nga të dyja palët.
Aktualisht, De Bruyne është nën kontratë me Manchester City deri në fund të sezonit dhe do të jetë lojtar i lirë nga korriku, një element që e bën atë veçanërisht tërheqës për klubet e mëdha evropiane. Mungesa e një agjenti që të përfaqësojë interesat e tij ul kostot e transferimit, pasi nuk ka komisione të parashikuara për ndërmjetësim, duke e kthyer operacionin në një marrëveshje më të lehtë nga pikëpamja financiare.
Një nga faktorët kryesorë që ka nxitur përfshirjen e Napoli-t në këtë pistë është edhe komponenti familjar. Bashkëshortja e tij, Michelle De Bruyne, ka vizituar qytetin e Napolit gjatë ditëve të fundit, me qëllimin për të vlerësuar disa mundësi strehimi në rast të një transferimi të mundshëm. Nuk është hera e parë që çifti shfaq lidhje me zonën, pasi në vitin 2017, ata janë martuar në Sant’Agnello, në provincën e Napolit, një detaj që tregon për një lidhje të mëparshme me territorin.
Në aspektin sportiv, drejtori sportiv i Napoli-t, Giovanni Manna, ka udhëtuar drejt Manchester-it për të paraqitur personalisht një projekt të detajuar sportiv për sezonet e ardhshme. Klubi synon rikthimin në Champions League dhe ndërtimin e një skuadre konkurruese për titullin në Serie A, duke përfshirë emra me përvojë dhe cilësi të lartë si De Bruyne. Në këtë kontekst, Napoli ka ofruar një kontratë dyvjeçare, me mundësi rinovimi për një sezon të tretë, si dhe një pagë të nivelit të lartë, ndonëse nën nivelin e 13.5 milionë eurove që mesfushori përfiton aktualisht te Manchester City.
sfidanti.al