Arrestimi i Grinvudit dhe historia e një shqiptari në Athinë!

Policia britanike nuk ngurroi aspak, por shkoi drejt e në shtëpinë e yllit të futbollit të Mançester Junajtidit, Mejzën Grinvud, dhe i vuri prangat. Sulmuesi 20-vjeçar e kaloi natën në ambientet e komisariatit apo në paraburgim, siç e parashikon ligji britanik, ndonëse përsa i përket ligjeve të këtij vendi mund të thuhet se ish-kryeministri Toni Bler mbetet i lirë dhe i pasur, pavarësisht se mashtroi për luftën në Irak. Gjithsesi, për shumicën e qytetarëve normalë, deri tek disa nga yjet e futbollit, ligji vepron, diçka që i habit shumë shqiptarët, të pamësuar me këtë lloj qeverisjeje. Nuk dihet sesi do të përfundojë historia e Grinvudit, i akuzuar për dhunë ndaj të dashurës, dhe mund të përfundojë keq për të, ashtu siç duket edhe për mbrojtësin e Francës e të Mançester Sitit, Benzhame (Benjamin) Mendi, që është i akuzuar për përdhunime. Kjo që ndodh në Britaninë e Madhe nuk është se gjykatësit, prokurorët, policia apo udhëheqësit britanikë janë tepër të edukuar dhe janë “barinj” të mirë për popullin e tyre, përkundrazi, është populli i zhvilluar që zgjedh njerëz të tillë për drejtim. Kjo më kujton historinë e një shqiptari në Greqi, që thoshte se një ditë ishte në makinë me një mikun e tij grek. Greku po i jepte makinës, kur e ndaloi një polic dhe i vuri gjobë. Ai doli nga makina dhe priti derisa u plotësua gjoba, e pastaj u përqafua me policing. Kur u kthye në makinë, shqiptari e pyeti: A të vuri gjobë? Po, – iu përgjigj greku. Po atëherë, përse e përqafove? Sepse e kam kushëri të afërt! Ja pra, edhe në Greqi të vendos gjobë edhe kushëriri i afërt, jo më në Britani!

Sfidanti.al