Anglezët me djallëzi fshatarësh i bënë “diversion” Modriçit!

Kroacia humbi 2-1 në “Uembli” nga Anglia dhe ra nga Divizioni A i Ligës së Kombeve, kështu që nënkampionia e botës në sezonin e ardhshëm të kësaj Lige do të konkurrojë në Divizonin B. Duhet të theksohet se Kroacia ishte pranë kualifikimit për në “Final 4” të kësaj Lige, pasi ajo udhëhiqte 1-0 deri afro 20 minuta para përfundimit të ndeshjes së fundit të grupit kundër Anglisë, por kjo e fundit arriti ta përmbyste rezultatin, duke fituar 2-1.
Sidoqoftë, para fillimit të ndeshjes u vu re një moment shumë interesant. Dihet tanimë, pasi është bërë zakon, se lojtarët e të dy ekipeve dalin në fushë, duke mbajtur prej dore fëmijë të vegjël, të zgjedhur nga organizatorët mikpritës. Por, ra në sy se futbollistit të përfaqësueses kroate, Luka Modriç, i kishin caktuar që të mbante prej dore një fëmijë të shëndoshë e të gjatë, saqë, kur dolën në fushë ata të dy, kapiteni i Kroacisë dhe fëmija që ai kishte prej dore, dukeshin si vërsnikë. Menjëherë mbas Modriçit vinte portieri Lovre Kaliniç, më i gjati në përfaqësuesen kroatë, që mbante prej dore fëmijën më të shkurtër!
Shumëkush konsideron se kjo nuk ishte rastësi dhe ngjan më shumë me një “diversion” të paramenduar të anglezëve, me synimin që t’i nervozonin kundërshtarët para se të fillonte ndeshja. Nëse është e vertetë, atëherë kjo ishte një përpjekje e pahijshme dhe joprofesioniste e anglezëve.
Sfidanti.al