Barcelona nuk ka hequr dorë nga Julian Alvarez dhe është gati të bëjë lëvizjen e saj më të madhe të verës. Sipas mediave spanjolle, katalanasit po përgatisin një ofertë përfundimtare prej 115 milionë eurosh për sulmuesin e Atletico Madridit. Drejtori sportiv Deco dhe shefi i skautëve Joao Amaral janë takuar me agjentin e lojtarit, Fernando Hidalgo, për të përshpejtuar negociatat, ndërsa presidenti Joan Laporta ka vendosur datën 10 gusht si afatin përfundimtar për këtë operacion.
Raportohet se vetë Alvarez do t’i komunikojë zyrtarisht drejtuesve të Atletico Madridit dëshirën për t’u transferuar dhe se destinacioni i vetëm që dëshiron është Barcelona. Megjithatë, ai nuk pritet të ushtrojë presion publik apo të bojkotojë stërvitjet, por do ta paraqesë kërkesën e tij në mënyrë private. Atletico Madrid mbetet i vendosur të mos e shesë argjentinasin, sidomos te një rival direkt në La Liga. Drejtuesit e klubit madrilen kanë refuzuar më herët një ofertë prej 100 milionë eurosh dhe vazhdojnë të këmbëngulin se lojtari nuk është në shitje.
Tani gjithçka mund të vendoset në takimin e pritshëm mes drejtuesve të dy klubeve, ku Barcelona do të tentojë të bindë Atleticon të pranojë ofertën rekord prej 115 milionë eurosh. Nëse edhe kjo përpjekje dështon, katalanasit pritet të heqin dorë përfundimisht nga transferimi i Alvarezit.

