Natyrisht ishte vetëm fitorja e parë, ishte ndeshja e parë madje e luajtur në shtëpi, dhe kundërshtari ishte deri diku modest, Sasuolo. Gjithsesi, kur Juventusi fiton ka komente të shumta në Itali dhe të gjithë thonë se “Zonja e Vjetër” është kthyer. Skuadra e trajnerit Masimiliano Alegri bëri nisjen e duhur të sezonit me suksesin 3-0, ndërsa ra në sy fakti se golat erdhën nga dy lojtarë prej të cilëve pritet shumë. Dy herë shënoi sulmuesi kryesor, Dushan Vlahoviç, dhe një herë Angel Di Maria i marrë nga Paris SG. Me kthimin nga dëmtimi të Pol Pogbasë, treshja mund të plotësohet ndërsa pritet edhe Paredes gjithashtu nga PSG-ja. Vlahoviçi, i ardhur në janar nga Fiorentina, nuk e kishte treguar deri tani aftësinë siç bënte në Firence, por ndoshta është përshtatur, ndërsa Di Maria po luan sikur ka një jetë që ndodhet në Torino.
Sfidanti.al