A mundet Totenhemi i Murinjos ta fitojë titullin? Pas 2-0 me Sitin pse jo?!

Pak ditë më parë një analist hodhi dyshime lidhur me shanset e “gjelave” për të dalë kampionë, duke thënë se “skuadra e Murinjos është gjithnjë një hap larg katastrofës”. Gjithsesi, këtë të shtunë katastrofën e pësoi Pep Guardiola dhe Mançester Siti i tij i shkëlqyer, që duket se ka hyrë në krizë të plotë, ndërsa Totenhemi u ngjit në krye. Fitore 2-0 me gola të koreanojugorit Son në pjesën e parë dhe të Zhovani Lo Selsos pas pushimit, por mbi të gjitha me lojë të fortë, tipike të Murinjos, me pak zotërim topi, mbrojtje të hekur dhe saktësi në momentin e goditjes.

Diçka që trajneri portugez e ka bërë me sukses tek Porto, Çelsi dhe Interi, ndërsa tek Reali ishte i detyruar të luante më ndryshe, dhe për këtë u përplas me yjet e tij, Ramos e Ronaldo. Në “Uajt Hart Lejn” shkëlqeu sërish Harri Kejn, njeriu që vërtet nuk shënoi, por shërbeu për shokët e skuadrës. “Ne nuk po luftojmë për titullin, – tha Murinjo pas ndeshjes, – ndihemi mirë që jemi të parët, por nesër mund të jemi sërish të dytët. Kjo nuk është shumë e rëndësishme për mua, i rëndësishëm është evoluimi, përparimi. Ne po luftojmë për të fituar çdo ndeshje”. Totenhemi ishte i fortë edhe me Poçetinon, duke dalë i dyti dhe i treti në Premier, e duke arritur finalen e Championsit. Murinjo e di se duhet të bëjë shumë.

Sfidanti.al