A i mban mend kritikat e tua për Totenhemin, Zhoze Murinjo?

Njeriu me njeriun takohet. Kështu pra edhe ai u takua me disa nga njerëzit të cilët i kritikoi pa e mbajtur gjuhën aspak gjatë periudhës që punoi si analist televiziv. Zhoze Murinjo e ka pasur Totenhemin një nga “shënjestrat” kryesore gjatë këtyre muajve, por nuk besohet se disa nga lojtarët apo disa nga njerëzit në klub mund të harrojnë aq shpejt, sidomos tani që ai u përzgjodh trajner i “gjelave”. Duke komentuar finalen e Championsit, mes Liverpulit e Totenhemit, portugezi kritikoi Harri Kejnin duke thënë se “ai u fsheh gjatë gjithë ndeshjes, ai nuk u duk aspak gati”.

Në verë, Zhoze deklaroi publikisht se Totenhemi duhet ta transferonte Kristian Eriksenin (që ndodhet ende në ekip), dhe sulmoi lojtarët. “Duket se ata po shikojnë nga një dritare më e madhe, – u shpreh ai, – lojtarë të tjerë po fitojnë më shumë para se ata, po fitojnë tituj. Shiko Kajl Uolkerin që fiton tituj, shiko, Realin, Barcelonën, Paris SG”. Problem i madh pritet të jetë me tifozët, pasi Murinjo i ka tallur shpesh ata, kur ishte tek Çelsi apo tek Mançester Junajtidi. Tifozët janë gjithnjë ata që nuk harrojnë kurrë.

Sfidanti.al