FSHF priti më shumë se 24 orë për të dalë me një komunikatë publike e për të justifikuar kasaphanën e radhës me biletat e skuadrës që në teori duhet të jetë e të gjithëve por në praktikë është vetëm e klientëve pranë selisë së futbollit në zemër të Tiranës. Kush habitet me trajtimin që FSHF u bën njerëzve në rastin e biletave të Çekisë është minimalisht naiv, sepse kjo është një histori që përsëritet prej vitesh. E mbani mend ndeshjen me Serbinë në Elbasan kur stadiumi u transformua në një sallë teatri e mbushur me njerëz që emrat e lojtarëve i mësuan pas dhunës në Beograd? Po sfidën e përurimit të Arenës Kombëtare me Francën? Mos harroni ndeshjen e parë me Poloninë në vitin 2021 por edhe Italinë mike që na bëri dhuratë një miqësore luksi. Në të gjitha rastet radha e punës ishte, bileta për njerëzit e përzgjedhur dhe mbetjet për tifozët e vërtetë. Këtë herë, duke mos e përmendur aspak rritjen e ndjeshme të çmimit, FSHF justifikohet me togfjalëshin:
“Në portalin e biletarisë dhe në faqen zyrtare të Federatës kanë qënë mbi 300 mijë persona ne pritje në orët para dhe gjatë shitjes së biletave”, ndërsa shton: “Për këtë ndeshje kemi vepruar dhe ndjekur të njëjtat procedura dhe rregulla si në ndeshjet me Moldavinë dhe Poloninë ku secili aplikant mund të blejë jo më shumë se 4 bileta. FSHF ka njoftuar fillimin e procesit ditën e premte, datë 15 shtator. Por për arsye të mbingarkesës e rradhës së madhe të aplikantëve sistemi ka pasur disa herë rënie, të cilat janë stabilizuar dhe shitja ka filluar në orën 21.15 siç është njoftuar në kanalet tona zyrtare të komunikimit”.
Por çfarë po qarkullon në rrjetet sociale dhe jo vetëm? Njerëz që kanë nxjerrë në shitje me qindra bileta në treg të zi. Tik toku ka zëvendësuar matrapazët në dyert e “Qemal Stafës” së vjetër për të na kthyer pas 20 apo 30 vjet.
Po për ata njerëz që nuk kishin kohë, as para eletronike e as internet për të pritur në radhën virtuale por janë po aq tifozë sa ata që kanë përvetësuar nga 20 të bileta, kush mendon? Federata sigurisht që jo!
sfidanti.al