Shpikësit e futbollit u larguan të mërzitur nga Katari, por patën diçka të veçantë me vete. Ndoshta nuk ka ndodhur kurrë më parë në një Kupë të Botës që një kombëtare të kthehet në shtëpi vërtet pa trofe, por me një dhuratë të gjetur krejt rastësisht. Kjo dhuratë ishte një mace rrugësh, që u adoptua nga yjet e Anglisë, ndërsa lajmet janë që kafsha me emrin Dejv qenka plagosur, ndërsa ndodhet ende në Katar. Tabloidët sqarojnë me seriozitet se Dejvi pësoi dëmtim në këmbë pas një përleshjeje me mace të tjera, veçse lajmi i mirë është se ajo është drejt përmirësimit pasi mori ndihmën e parë. Tashmë, mbetet të vendoset se kush nga futbollistët e “tre luanëve” do ta marrë Dejvin me vete në shtëpi. Besohet se janë të shumtë ata që e duan, mes të cilëve Kajl Uolker apo Xhon Stouns. Nëse, lojtarët nuk do të bien dakord, atëherë për macen do të kujdeset Xhenet Berri, që po kujdeset për të në qendrën e Shoqatës për Mbrojtjen e Kafshëve në Katar.
Sfidanti.al