Roli i infermieres në shantazhin ndaj Schumacher

Plani për të shantazhuar familjen e Michael Schumacher ishte i mirëorganizuar dhe rrezikoi të shkatërronte rrjetin mbrojtës që rrethon ish-kampionin e Formula 1. Masat e rrepta të sigurisë u vunë në pikëpyetje për shkak të bashkëpunimit të dy personave (njëri i konfirmuar, tjetri ende nën dyshim), të cilët luajtën një rol kyç në strategjinë kërcënuese. Kush janë këta persona? Infermierja që u pushua nga puna sepse, sipas menaxheres historike të Schumacher, Sabine Kehm, “pamë gjëra të pakëndshme”. Dhe ish-truproja, i cili thuhet se kishte krijuar një lidhje të fshehtë dhe jo-profesionale me të: “ata kishin një lidhje”, doli në pah gjatë procesit, duke shqyrtuar rolin e infermieres dhe mënyrën e kryerjes së detyrës së saj. E thirrur për të dëshmuar, ajo nuk u paraqit, çka shtoi dyshimet për besnikërinë e saj. Shantazhi për të nxjerrë 15 milionë euro, në këmbim të mos publikimit të fotove, videove dhe dokumenteve të tjera të ndjeshme mbi gjendjen aktuale të ish-pilotit – material që mund të sigurohej vetëm nga ata që kishin qasje të afërt me të – ishte pjesë e një plani kriminal të organizuar nga ish-truproja Markus Fritsche, me ndihmën e një shoku (ish-truproja Yilmaz Tozturkan) dhe të birit të tij Daniel, një ekspert informatike.

Në dosjen e Prokurorisë së Wuppertalit (Gjermani) tani përfshihet edhe emri i infermieres, e cila u largua për “kujdes të dobët” pas një periudhe shërbimi. Ajo është bërë objekt i hetimeve nga autoritetet, të cilat janë drejtuar nga dëshmitë e dhëna nga i dyshuari kryesor (ish-truproja, që kishte qenë pranë Schumacher dhe familjes së tij për vite, edhe para aksidentit në Meribel) dhe një punonjës i familjes Schumacher. Roli i infermieres 30-vjeçare në këtë shantazh dyshohet të ketë qenë dorëzimi i materialeve sensitive te Fritsche, të cilat u përdorën për shantazh. Ky veprim dyshohet se ishte një mënyrë për të ndihmuar atë gjatë një periudhe të vështirë financiare dhe njëkohësisht një “peng dashurie” në kuadrin e një lidhjeje të thellë midis tyre, e përmendur nga menaxherja e mëparshme si një marrëdhënie “shumë e fortë”. “Fillimisht u largua ajo, më pas ai (Fritsche, red.)”, shtoi Kehm, duke lënë të kuptohet se kapitulli ishte mbyllur. Avokati i njërit prej të pandehurve, Oliver Doelfs, i cili mbron Tozturkan, tha: “Ata ishin shumë të lidhur. Gjithçka tregonte se kishin shkuar përtej një marrëdhënieje pune”.

sfidanti.al