Mesfushori i Liverpoolit, Alexis Mac Allister, dhe ish-partnerja e tij, Camila Mayan, vijojnë përplasjen në gjykatë, në një proces që tashmë zgjat prej rreth një viti e gjysmë.
Çështja po shqyrtohet në Argjentinë, pasi drejtësia angleze ka shpallur moskompetencë për të ndërhyrë në këtë konflikt. Mayan kërkon kompensim financiar për vitet gjatë të cilave, sipas pretendimeve të saj, shoqëroi Mac Allisterin gjatë karrierës së tij në Angli dhe sakrifikoi zhvillimin e saj profesional.
Tashmë, përplasja ka marrë një tjetër drejtim. Ish-partnerja e futbollistit ka kërkuar të përfitojë nga e drejta për të zhvilluar procesin pa pagesën e kostove gjyqësore. Por avokatët e Mac Allisterit e kanë kundërshtuar këtë kërkesë, duke argumentuar se të ardhurat e saj si influencuese dhe figurë mediatike tregojnë se ajo ka mundësi financiare për ta përballuar shpenzimin.

