Achraf Hakimi, një nga lojtarët më të rëndësishëm të PSG-së nën drejtimin e Luis Enrique, po zhvillon një sezon të shkëlqyer, pavarësisht se prej muajsh përballet me një akuzë për përdhunim. Futbollisti maroken u akuzua në mars të vitit 2023 dhe deri tani kishte reaguar vetëm përmes avokates së tij, Fanny Colin, duke e quajtur çështjen në fjalë si “përpjekje për shantazh”. Hakimi kishte vendosur të mos fliste publikisht për këtë çështje deri pak orë më parë, kur dha intervistën në kanalin “YouTube” të Anas Bukhash, duke konfirmuar se ishte viktimë e një shantazhi. Ai shprehu besim te sistemi gjyqësor, i sigurt se e vërteta do të dalë në dritë: “Do të jem i sinqertë për këtë çështje, kjo është hera e parë që flas publikisht për këtë me dikë. Që nga koha kur ndodhi, dy vite më parë, nuk kam folur më për këtë. E vërteta është se kur ke sukses dhe gjërat po shkojnë mirë, bëhesh objektiv i lehtë për disa njerëz. Kjo më mësoi se nuk mund t’iu besosh shumë njerëzve përreth teje. Kur ia besuam çështjen drejtësisë, kuptuam se ishte thjesht një përpjekje për të më shantazhuar. Për këtë arsye ngritëm padi dhe gjithçka po shkon mirë”.
Hakimi shtoi: Gjykatat e kanë trajtuar këtë çështje mjaft mirë dhe gjithçka do të zgjidhet shpejt. E vërteta do të dalë në dritë dhe më pas do të mund të flasim më shumë për këtë”. Në mars 2023, një grua pretendoi se Hakimi e kishte përdhunuar në shtëpinë e tij në Boulogne-Billancourt, një lagje në afërsi të Parisit. Menjëherë pas akuzës, autoritetet franceze hapën një hetim penal. Hakimi u akuzua zyrtarisht nga prokuroria franceze për përdhunim, duke e bërë këtë çështje temë të ndjeshme dhe shumë të diskutuar në media. Hakimi i ka mohuar të gjitha akuzat dhe përmes avokates së tij, Fanny Colin, ka deklaruar se bëhet fjalë për një “përpjekje për shantazh”. Çështja është ende në proces hetimi. Hakimi ka vazhduar aktivitetin e tij profesional me PSG-së dhe kombëtares së Marokut, duke treguar nivel të lartë në fushë, pavarësisht presionit personal që lidhet me këto akuza të rënda.
sfidanti.al