Bild’: Schumacher fluturoi në Zvicër për të parë mbesën e sapolindur

Një lajm i rrallë dhe prekës vjen nga Gjermania: sipas së përditshmes ‘Bild’, Michael Schumacher, legjendë e Formula 1, ka udhëtuar me helikopter javën e kaluar për të qenë pranë familjes në një moment shumë të veçantë – në lindjen e mbesës së tij të parë, Millie, vajza e Gina-Maria Schumacher. Shtatë herë kampioni i botës nuk është parë në publik që nga dhjetori i vitit 2013, kur pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Alpet Franceze, që i shkaktoi dëmtime të rënda në tru. Që prej asaj kohe, gjendja e tij shëndetësore është mbajtur në privatësi të plotë nga familja, e cila kërkon respekt maksimal për intimitetin e tij. Sipas ‘Bild’, Schumacher fluturoi nga rezidenca e tij në Majorca, ku ndodhej me pushime, drejt vilës familjare në Gland, në Zvicër, për të përjetuar nga afër lindjen e mbesës. Një burim i afërt me familjen tha se të afërmit shpresojnë që ky moment i veçantë familjar të sjellë një shtysë emocionale pozitive për ish-pilotin legjendar. Në tetor të vitit 2024, po i njëjti medium kishte zbuluar se Schumacher kishte marrë pjesë në dasmën e vajzës së tij Gina-Maria me Jan Beckhe në Maiorca – një ceremoni ku ishte ndaluar rreptësisht përdorimi i celularëve për të ruajtur privatësinë totale të ngjarjes. Kujtojmë se pak muaj më parë, në një nismë bamirësie, Schumacher kishte nënshkruar një helmetë të ish-pilotit Jackie Stewart, me ndihmën e bashkëshortes së tij, në një gjest simbolik që emocionoi botën e motorsportit.

sfidanti.al