Zv. presidenti futbollist, një luftëtar për popullin e tij i dënuar në Holandë!

Prejardhjen e ka nga skllevërit e dikurshëm të sjellë me vargonj nga Afrika. Roni Brunsvijk, zv. presidenti i shtetit të Surinamit në Amerikën e Jugut, hyri në histori si 61-vjeçari i vetëm që luan në një ndeshje futbolli. Ai e bëri këtë në ndeshjen e Kupës së Amerikës Qendrore, mes ekipit vendas të Surinamit, Inter Mëgotapo dhe Olimpias së Hondurasit. Brunsvijk luajti për 54 minuta, pavarësisht se nuk e ka aspak formën e duhur fizike, ndërsa në fushë ishte edhe djali i tij, Damiani. Ekipi nga Surinami u mund 6-0 nga hondurianët sepse është një ekip shumë i dobët, ndërsa Brunsvijku mund ta realizonte dëshirën sepse është edhe pronar i klubit. Zv. presidenti e ka futbollin pasion të vjetër dhe ka luajtur edhe shumë kohë më parë kur ishte 48 vjeç.

Po flasim për një personazh të veçantë, me një karrierë dhe jetë me shumë ngjarje të rëndësishme për Surinamin. Brunsvijku krijoi një grup ushtarak të quajtur “komandoja e xhunglës” duke luftuar për të drejta të barabarta për popullsinë Marun, që është në minoritet në Surinam. Në 1986, ai mori epitetin “Robin Hudi i Surinamit” pasi vodhi një bankë dhe fondet e saj ua ndau njerëzve të thjeshtë, duke thënë se u përkisnin atyre. Brunsvijku, ndërkaq, nuk mund të luajë në ndeshjen e kthimit në Honduras, sepse kërkohet nga Interpoli. Zv. presidenti i vendit është dënuar në mungesë nga një gjyq në Holandë për trafik droge, një akuzë që ai e mohon.

Sfidanti.al