Ngjitja ka qenë meteorike. Totenhem Hotspur doli nënkampione e Premier Ligës dhe hyri në Champions për të dytin vit radhazi. Ky sukses i skuadrës londineze duket se nuk ka mbetur pa rënë në sy dhe një ofertë e madhe pritet për të. Mediat njoftojnë se një paketë prej 1 miliardë paund stërlinash pritet të jepen nga pronari i FB-së, Mark Zukerberg, për të blerë aksionet e klubit anglez.
Lajmet janë që kompania “Ajkonik Kapital” (Iconiq Capital), që zotëron edhe rrjetin e famshëm social, është e interesuar për Totenhemit. Nuk ka asnjë konfirmim apo përgënjeshtrim nga miliarderi 33-vjeçar, që renditet si njeriu i pestë më i pasur në botë nga revista amerikane “Forbs”. Pasuria e tij llogaritet në mbi 63 miliardë dollarë.
Një refuzim ka ardhur gjithsesi, dhe ky është nga vetë Totenhemi. Klubi, që ka për president Daniel Levin, deklaron se nuk ka asnjë të vërtetë në lajmet për një shitje të mundshme të aksioneve. Bordi drejtues thekson se vëmendja kryesore është tek ndërtimi i stadiumit të ri, që pritet të kushtojë rreth 750 milionë paund stërlina, dhe që do ta vendosë Totenhemin mes klubeve më të rëndësishëm në Angli dhe në Europë, me kapacitetin prej afërsisht 62 000 vendesh.
Pretendimet janë për të luftuar për titullin kampion në Angli, për Kupën e Anglisë dhe për të qenë vazhdimisht në Champions, diçka e arritshme me një skuadër ku trajneri Mauricio Poçetino ka në dispozicion yje si Harri Kejn, Dil Ejli apo Kristian Eriksen.
Sfidanti.al