Zhoze Murinjo-Pep Guardiola, dueli i parave ndjek atë të trofeve!

Zhoze Murinjo mund të mos dalë kampion i Anglisë dhe mund të mos fitojë trofe të mëdhenj këtë sezon, por gjithsesi, portugezi është i pari në një renditje të veçantë. Ai lë prapa të gjithë rivalët e tij të mëdhenj përsa i përket fitimeve ekonomike, ashtu siç bën Kristiano Ronaldo për kategorinë e futbollistëve.

Bosi i Mançester Junajtidit është i pari në këtë listë me 29 milionë euro të ardhura, ku përfshihet rroga në “Old Traford” dhe të ardhurat nga sponsorizimet. “Mou” lë shumë prapa atë që mund të quhet si kundërshtari më i madh i karrierës së tij në stol, Pep Guardiolën. Trajneri i Mançester Sitit fiton gjysmën e parave të portugezit, saktësisht 14.5 milionë euro në vit.

Ai, madje nuk është as në vend të dytë. Pas Murinjos, në tabelë janë Marçelo Lipi trajneri i Kinës me 23.4 milionë euro, Loran Blank (nga kontrata me Paris SG) ka 20 milionë euro të ardhura, Karlo Ançeloti tek Bajerni shkon në 16 milionë dhe pastaj Guardiola në 14.5.

Përsa i përket trofeve, dueli Zhoze-Pep është shumë më i fortë, pasi portugezi kryeson me diferencë fare të vogël, 24 tituj ndaj 21 të katalanasit, që e ka nisur karrierën 8 vjet pas Murinjos.

Sfidanti.al