Vllaznia tregon forcën ndaj kampionëve

Vllaznia e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin 2025-2026. Shkodranët triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj kampiones në fuqi, Egnatias.

Kuqeblutë ishin më kërkues nga fillimi përballë publikut të tyre dhe u shpërblyen shumë herët. Në minutën e 18-të, Erdenis Gurishta përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Dajsinani dhe ia doli të shënojë më kokë.

Ky gol bëri që të shpërthejë festa në stadiumin “Loro Boriçi” dhe rriti entuziazmin. Në minutën e 23-të, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini shpërtheu në protesta ndaj arbitrit për një ndërhyrje të gabuar në mesfushë dhe si pasojë e kësaj u ndëshkua me karton të kuq.

10 minuta më vonë, Bekim Balaj kishte rastin e artë për të dyfishuar shifrat, por gaboi gjithçka nga pika e penalltisë, duke gjuajtur jashtë.

Fraksioni i parë u mbyll 1-0, ndërsa i dyti nisi menjëherë me gol. Në minutën e 49-të, ishte Melos Bajrami që përfitoi nga një krosim në zonë dhe ia doli ta ndalë në fundin e rrjetës.

Gjithçka u bë më e vështirë për Egnatian në minutën e 56-të, kur Votlai i sapofutur në fushë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e tij në inferioritet numerik.

Gjini iu afrua golit të tretë pak minuta më vonë, ndërsa Fernando në vazhdim të aksionit në krahun tjetër, u shfaq i vetëm me portierin Aron Jukaj, por gardiani shkodran devijoi në këndore.

Portieri kuqeblu ishte vendimtar edhe ndaj një gjuajtje të Jahaja, të cilën e devijoi në këndore. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, me Vllazninë që shijon tre pikët e para të kampionatit.

Egnatia e nis me vështirësi të mëdha sezonin, ku duket se do të kenë probleme të shumta, për shkak të ndryshimeve të bëra në ekip, ku kanë larguar shumicën e lojtarëve që u shpallën kampionë.

sfidanti.al