Vllaznia gjen sulmuesin që siguron gola por “humbet” mbrojtjen

 

 

Vllaznia gjen ritmin dhe golat por pas një vere me shumë ndryshime, skuadra shkodrane kërkon ende kohë për t’u klauduar. Tre gola të pësuar në dy ndeshje janë shumë për një skuadër që kërkon një nga 4 vendet e para për të luftuar më pas për titullin, ndërsa transferta e Rrogozhinës tregoi se trajneri Memelli është ende në hapat e parë të punë që po bën me kuqeblutë.

Merkatoja e mbyllur përpara pak ditëve dhe më shumë se 70 % e skuadrës së ndryshuar, Vllaznia e këtij sezoni ndryshon jo vetëm në emra por edhe në eksperiencë. Barazimi 2-2 ndaj Erzenit është një këmbanë e vogël alarmi për momentin por në fillim të sezonit nuk ka vend për panik sepse kjo skuadër duhet të gjejë ekujlibrin që i ka munguar madje dhe sezonin e kaluar.

Avantazhi më i madh është fakti që grupi mund ta arrijë shumë shpejt formën më të mirë fizike pas aktivizimit të verës në Europë, ndërsa lajmi i madh është shpërthimi i Bekim Balajt. Tre gola, 2 nga të cilët nga pika e bardhë por kjo pak rëndësi ka sepse Vllaznia ka gjetur bomberin e saj të cilin e priti plot 6 muaj. Sot Balaj është pika e referimit jo vetëm në fushë por edhe në dhomën e zhveshjes sepse bomberi që ka shënitur gjysmën e e Europës ka në krahun e tij eksperiencën për të cilan Vllaznia ka nevojë sot më shumë se kurrë.