Vendos një penallti, Shqipëria merr fitoren dhe kalon Serbinë

Shqipëria ka fituar 1-0 ndaj Letonisë në ndeshjen e kualifikuesve të Botërorit, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Goli i vetëm i takimit u shënua nga Kristjan Asllani në minutën e 25-të, nga pika e bardhë e penalltisë. 11-metërshi erdhi pas një krosimi të Qazim Laçit, që u ndal me dorë nga një lojtar kundërshtar.

Pas avantazhit, kuqezinjtë patën disa raste të tjera shënimi me Bajramin, Hoxhën dhe Brojën, por nuk arritën të finalizonin. Letonia pati gjithashtu mundësi për barazim, por Strakosha dhe Mitaj shmangën rrezikun.

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të grupit K me 8 pikë. Serbia zbret në vendin e tretë me 7 pikë, pasi u mund 5-0 nga Anglia. Ky rezultat i mban kuqezinjtë në garë për kualifikim.

sfidanti.al